Në mes shumë përfitimeve tjera, vitamina E ndihmon në mbrojtjen dhe mirëmbajtjen e qelizave të trupit tuaj. Por sa ju nevojitet, ku mund ta gjeni dhe a është e mundur të merrni më shumë seç duhet?
Vetitë e vitaminës E
Me efektet e saj antioksiduese, vitamina E parandalon stresin oksidativ në qeliza duke penguar oksidimin e acideve yndyrore të pangopura dhe vitaminave A dhe D në qeliza. Kjo është mënyra se si vitamina E ndihmon për të mbajtur qelizat të shëndetshme.
Çfarë ndodh kur ka mungesë të vitaminës E?
Mungesa e vitaminës E është e rrallë në një dietë moderne perëndimore, por disa grupe janë më të prirura ndaj saj, si foshnjat e lindura para kohe dhe njerëzit me sëmundje që shkaktojnë ulje kronike të përthithjes së yndyrës nga zorrët.
Mungesa e vitaminës E mund të çojë në:
- Probleme me fertilitet;
- Degjenerim të muskujve;
- Çrregullime të sistemit nervor, si probleme me ekuilibrin dhe shikimin.
Burimet më të mira të vitaminës E
Ka shumë burime të shkëlqyera të vitaminës E, dhe më të mirat janë ato që përmbajnë shumë vitaminë, në mënyrë që të mos keni nevojë të konsumoni shumë për të arritur dozën e rekomanduar.
Disa shembuj të burimeve të vitaminës E përfshijnë:
- Produkte me drithëra të plota, si tërshëra;
- Vajra bimore, si vaji i misrit dhe lulediellit;
- Margarina bimore e butë;
- Arra;
- Farat;
- Vaji i mëlçisë së peshkut;
- Peshk yndyror;
- Vezë;
- Avokado;
- Mango.
Ushqimet e freskëta dhe të gatuara lehtë, ose të përpunuara minimalisht, kanë përmbajtjen më të lartë të vitaminës E, pasi kjo vitaminë shkatërrohet lehtë kur ekspozohet ndaj nxehtësisë ose ngrirjes.
Doza e rekomanduar e vitaminës E
Ashtu si me shumë vitamina të tjera, ka një dozë ditore të rekomanduar që zakonisht merret përmes një diete të shëndetshme dhe të balancuar.
Doza e rekomanduar e vitaminës E sipas moshës dhe gjinisë:
- Fëmijët 3-5 vjeç: 5 mg
- Fëmijët 6-9 vjeç: 6 mg
- Fëmijët 10-13 vjeç: 7 mg për vajza dhe 8 mg për djem
- Burrat e rritur: 10 mg
- Gratë e rritura: 8 mg
Shembull:
- Një lugë gjelle vaj luledielli përmban 5.6 mg vitaminë E;
- Gjysmë filxhani spinaq i zier përmban 1.9 mg;
- Dy lugë gjelle gjalpë kikiriku përmbajnë 2.9 mg.












