A jeni të hutuar nga të gjitha paralajmërimet për ushqimet që mund të bëjn dëm gjatë shtatzanisë? Lista e rreziqeve të mundshme duket se nuk ka fund për nënat e shqetësuara në pritje për të lindur.
Në këtë artikull ne kemi ndarë faktet nga mitet, përfshirë edhe disa mite të çuditshme rreth peshkut dhe omega-3.
Omega-3 ju bën të humbni më shumë gjak gjatë lindjes – MIT!
Thuhet se acidet yndyrore omega-3 mund të pengojnë koagulimin e gjakut dhe kështu mund të paraqesin rrezik gjatë lindjes. Por studimet tregojnë se kjo nuk mbështetet nga faktet.
Përkundrazi, përfitimet shëndetësore të omega-3 tejkalojnë shumë këtë rrezik teorik. Acidet yndyrore esenciale omega-3 në peshkun yndyror, si skumbria, sardelet dhe harenga, kontribuojnë në zhvillimin normal të trurit dhe syve të fetusit.
Duhet të filloni të merrni acid folik që kur planifikoni të mbeteni shtatzënë – FAKT!
Sipas NHS, gratë këshillohen të fillojnë të marrin një suplement ditor prej 400 mikrogramësh acid folik që kur planifikojnë të mbeten shtatzëna. Kjo është për të parandaluar spina bifidën te foshnjat.
Gjysmë gote verë e kuqe është në rregull edhe kur jeni shtatzënë – MIT!
Ndoshta gjysmë gote nuk ka ndonjë efekt negativ te fëmija juaj. Por pse të rrezikoni? Mbani mend që gjithçka që konsumoni ndahet me trupin e vogël brenda jush, i cili është shumë i çmuar për t’u ekspozuar ndaj çdo rreziku. Nuk ka një kufi të ulët të sigurt për alkoolin gjatë shtatzënisë.
Duhet të shmangni gjithmonë alkoolin gjatë shtatzënisë dhe të zvogëloni ndjeshëm konsumin nëse po përpiqeni të mbeteni shtatzënë.
Duhet të jeni më të kujdesshme me higjienën ushqimore gjatë shtatzënisë – FAKT!
Për t’u siguruar që ushqimi i ruajtur nuk ju infekton me gjëra si toksoplazma dhe listeria, është e mençur të jeni veçanërisht të kujdesshme me higjienën në kuzhinë gjatë shtatzënisë.
Gjithmonë shpëlani frutat, perimet dhe manaferrat. Lajini thikat dhe dërrasat e prerjes shpesh dhe mbajini sipërfaqet e kuzhinës të pastra. Përdorni peshqirë kuzhine të pastër dhe zëvendësoni shpesh ato të përdorura.
Ushqimi i nxehtë duhet të jetë me avull të nxehtë, pasi bakteret rriten në ushqimin e vakët. Shumica e baktereve vdesin në temperatura mbi 70 °C. Ushqimi i gatuar që do të shërbehet më vonë duhet të ftohet dhe të nxehet përsëri përpara konsumit.
Mbani ushqimet e papërpunuara dhe të gatuara të ndara dhe përdorni pajisje të ndryshme për secilin lloj ushqimi ose lajini mirë midis përdorimeve.
Është e rrezikshme të hani peshk gjatë shtatzënisë – MIT!
Lista e gjatë e peshqve që duhet të shmangni gjatë shtatzënisë mund të bëjë të duket sikur të gjithë peshqit janë të rrezikshëm. Merluci i madh, trofta mbi një kilogram, tuna e freskët dhe disa lloje të tjera janë në listën për t’u shmangur. Por ka shumë lloje të tjera peshqish të shëndetshëm që mund të konsumohen gjatë shtatzënisë.
Gratë shtatzëna nuk duhet të hanë sushi – MIT!
Gratë shtatzëna mund të hanë sushi me peshk të freskët, duke shmangur llojet e peshqve në listën e ndaluar. Sigurohuni që sushi të vijë nga një vend i pastër me standarde të larta të higjienës ushqimore.
Mund të parandaloni alergjitë te fëmija duke shmangur ushqime të caktuara gjatë shtatzanisë – MIT!
Nuk ka baza shkencore që sugjerojnë se gratë shtatzëna mund të parandalojnë alergjitë në këtë mënyrë. Megjithatë, duket se një dietë e pasur dhe e larmishme gjatë shtatzënisë mund të ketë një efekt pozitiv në shëndetin e fëmijës në vitet e mëvonshme.
Gratë shtatzëna duhet të kenë kujdes me suplementet – FAKT!
Nëse merrni suplemente, mund të rrezikoni të merrni shumë nga disa lëndë ushqyese, veçanërisht nëse përdorni disa lloje të ndryshme. Përveç acidit folik dhe rekomandimeve të tjera të mjekut tuaj, përqendrohuni më mirë në marrjen e lëndëve ushqyese përmes ushqimit sesa përmes suplementeve.
Nëse vazhdoni të merrni suplemente, sigurohuni që të ndiqni dozën e treguar në paketim dhe mos merrni disa lloje të ndryshme që përmbajnë të njëjtat vitamina dhe minerale.
Për një listë të plotë të ushqimeve që duhet të shmangni gjatë shtatzënisë, shihni udhëzimet dietike të NHS për gratë shtatzëna.












